Numri i fetvasë: 286 MINIMUMI JETIK-NEVOJAT BAZË-LLOGARITJA
Kategoria: DISPOZITAT-ZEKATI I PARAVE DHE RROGËS
4 482 shfletues/klikues MINIMUMI JETIK-NEVOJAT BAZË-LLOGARITJA
Pyetje: MINIMUMI JETIK-NEVOJAT BAZË-LLOGARITJA
Si llogariten nevojat bazë dhe minimumi jetik që (sipas njërit prej mendimeve të juristëve muslimanë) përjashtohen nga zekati?
Përgjigjja: MINIMUMI JETIK-NEVOJAT BAZË-LLOGARITJA
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
Në lidhje me llogaritjen e minimumit jetik dhe nevojave bazë, që bazuar në një mendim të fuqishëm të juristëve muslimanë janë të përjashtuara dhe nuk llogariten në zekatin e pasurisë, thuhet sa vijon:Lexoni më tepër
Së pari: Njohuri kyçe mbi minimumin jetik dhe nevojat bazë
a. Njohuri kryesore mbi minimumin jetik
Minimumi jetik përbën kostot bazë për shpenzimet minimale jetike mujore: ushqimore (ku hyjnë: ushqimet, pijet jo-alkoolike etj. mallra e shërbime të këtij konteksti, që përbëjnë rreth 45 % të këtyre shpenzimeve) dhe ato jo-ushqimore (ku hyjnë: shpenzimet për banesën, ujin, energjinë elektrike, qeranë e paguar, mobilimin, pajisjet shtëpiake, mirëmbajtja e zakonshme e banesës, veshmbathja, shëndeti, transporti, komunikimi, arsimimi etj. shërbime e shpenzime të këtij konteksti, që përbëjnë rreth 55 % të këtyre shpenzimeve).
b. Llojet e minimumit jetikLexoni më tepër
Lloji i parë: Minimumi jetik individual
Një minimum jetik individual (Mji) për frymë në Shqipëri figuron të jetë llogaritur për herë të fundit në vitin 2015, i cili (bazuar në “Avokatin e Popullit”) rezulton të jetë në vlerën rreth 16 000 lekë të reja në muaj për një individ, prej të cilave rreth 7000 lekë të reja janë vlerësuar për shpenzimet ushqimore dhe rreth 9000 lekë të reja për ato jo-ushqimore. Gjithsesi, duhet theksuar se tendencat (prirjet) e shpenzimeve minimale jetike në fjalë kanë qenë gjithmonë në rritje në vitet e fundit, p.sh. nga 2015 në 2016, shpenzimet mesatare mujore për konsum të NjEf (Njësisë Ekonomike Familjare të përbërë mesatarisht prej 3,7 personash), kanë qenë 4,2 % më të larta.
Bazuar edhe në rritjen e cekur më sipër, minimumi jetik në fjalë (që përbën nevojat bazë jetike për një individ), i shprehur në euro është si vijon: Mji (Minimumi jetik mujor për individ) = 16000 (lekë në muaj) / 125.9 (kursi i euros, për datën 04.10.2018, ora 12:00 / shih: Iliria98-EUR-LEK-Shitje) = 127 euro x 10 % (rritjet me përafërsi të kostove të shpenzimeve në vitet e fundit 2016-2018) = (rreth) 140 euro në muaj; pra “Mji = 140 euro / muaj”.
Lloji i dytë: Minimumi jetik për një familje standarde (normale)
Me minimum jetik familjar (Mjf), nënkuptojmë atë për një familje të përbërë prej katër anëtarësh (dy prindër dhe dy fëmijë nën 14 vjeç), i cili më konkretisht llogaritet duke e shumëzuar minimumin jetik për një individ me koeficientin 2,1 të vendosur nga Eurostat-i. Së këtejmi ky minimum jetik për një njësi familjare, i shprehur në shifra i takon të jetë: Mjf (minimumi jetik në muaj për një familje) = Mji (140 euro / muaj) x 2,1 (koeficienti i familjes standarde katër anëtarëshe) = (rreth) 295 euro në muaj; pra “Mjf = 295 euro / muaj”.
c. Minimumi jetik përbën një njësi standarde të nevojave bazë jetike
Minimumi jetik (siç hetohet nga sa më sipër) përbën një njësi standarde thelbësore të nevojave bazë jetike, por gjithsesi nevojat bazë janë më të gjera se minimumi jetik dhe tek ato hyjnë edhe çështje të tjera veç minimumit jetik, si: kursimet e depozituara për nevoja bazë (blerje objekti banimi me kushte bazë jetese etj.), kursimet për trajtime kritike shëndetësore, kostot për shlyerjen e borxheve (sidomos atyre që duhen likujduar menjëherë), kostot që kanë të bëjnë me ushtrimin e profesionit, kostot shtesë për familjet me më shumë individë se familja standarde e përdorur në rastin e minimumit jetik, kostot shtesë për personat që u përkasin gjendjeve dhe pozitave të veçanta etj.
Së dyti: Normat kryesore lidhur me minimumin jetik dhe nevojat bazë
Në lidhje me të ardhurat e personit (të hyrat e tij monetare) dhe përjashtimin e minimumit jetik dhe nevojave bazë të tij nga këto të ardhura në çështjen e zekatit, vlen të theksohen normat kryesore në vijim:
a. Instancat dhe institucionet që administrojnë çështjen e zekatit të pasurisë, lipset të hedhin dritë në mënyrë periodike mbi vlerësimin e kostove të “minimumit jetik / minimum living (kufirit më të ulët të kostove të jetesës / kufirit të varfërisë)”, sipas rrethanave të çdo vendi më vete. Kësisoj bëhet diferencimi midis personave me të ardhura të pakta që nuk e arrijnë nisabin (të varfërve që nuk e arrijnë vlerën pasurore obliguese të zekatit, ndaj nuk hyjnë tek dhënësit e zekatit) dhe atyre me të ardhura të shumta që e arrijnë vlerën e nisabit (të pasurve që hyjnë tek dhënësit e zekatit).Lexoni më tepër
Pra dikasteret dhe institucionet kompetente e kanë për detyrë që të përcaktojnë kostot periodike (mujore) të jetesës (minimumin jetik) për çdo vit, duke marr parasysh rethanat jetike të njerëzve dhe kjo duhet bërë nën mbikëqyrjen e personave të kualifikuar (kompetentëve të fushës përkatëse), me qëllim që zekati të merret vetëm nga kush e ka obligim atë.
b. Në nevojat bazë dhe minimumin jetik të personit hyjnë ta ardhurat e tij të mjaftueshme për veten dhe për familjarët që ka në ngarkim (përgjegjësi) t’i mbajë (të kujdeset) financiarisht (ekonomikisht), ku hyjnë: bashkëshortja, fëmijët, dy prindërit, si dhe të gjithë të afërmit për të cilët ky person është i detyruar të harxhojë (kujdeset ekonomikisht); duke i mëshuar faktit se kjo kujdestari financiare duhet të jetë në limite të përmbajtura dhe ekuilibruara, pa shkujdes por edhe pa teprim.Lexoni më tepër
Sa më sipër bazohet në transmetime të shumta profetike, prej të cilëve janë dy transmetimet në vijim: “I mjafton personit për mëkat [sikur të kishte vetëm këtë mëkat do t’i mjaftonte, nisur nga rëndesa e madhe që ai përbën] që të izolohet [ta ndalojë ushqimin] nga kush e ka në dorë ushqimin e tyre [si: fëmija, bashkëshortja, shërbëtori etj., përkujdesjen e të cilëve Allahu i Madhëruar ia ka lënë në përgjegjësi këtij personi.]” dhe: “I mjafton personit për mëkat që t’i çoj dëm ata që ushqen [të tregohet i shkujdesur në çështjen e tyre, duke i lënë pas dore dhe mos shpenzuar rregullisht për nevojat e tyre; prej kopracisë, inatit etj. (që përbëjnë shkaqe të pajustifikueshme)].”
SHTESA MBI NEVOJAT SI KUSHT I ZEKATIT
c. Llogaritja e detajuar e nevojave bazë jetike lipset të bëhet siç e meriton çdo person më vete, duke marr parasysh aspektet kryesore të gjendjes së çdo personi (zekatpaguesi) në vetvete: pozitën shoqërore, raportin me fqinjët, të afërmit dhe shokët; pra llogaritja e detajuar e nevojave bazë jetike ndryshon nga një person tek tjetri, varësisht rrethanave të çdonjërit dhe ndryshimit të individëve të familjes. Bazuar në sa u tha, përllogaritja e nevojave bazë jetike lipset t’i nënshtrohet: llogarive inidividuale të deklaruara prej vetë personit përgjegjës për dhënien e zekatit (varësisht rrethanave personale të tij), si dhe monitorimit të autoriteteve administruese të zekatit në vend.
Më konkretisht me marrjen parasysh të rrethanave të çdo personi më vete, nënkuptohet që autoritetit vendor të administrimit të zekatit, t’i dalë në pah e vërteta se ky person gjendet në rrethana familjare të veçanta, në të cilat ndodh që të mos i mjaftojnë të ardhurat që ai merr, edhe pse këto të fundit mund të jenë më të larta se minimumi jetik i tij dhe personave që ka në ngarkim. Së këtejmi, çdo personi, pavarësisht të ardhurave të tij të larta në dukje, nuk i obligohet sheriatikisht (sipas ligjit islam) ta jap zekatin nëse vërtetohet se kjo rrogë e tij nuk është e mjaftueshme për të fituar të ardhurat e tij për sigurimin e nevojave bazë jetike, pasi personi që gjendet në këtë nivel të ardhurash nuk mund të konsiderohet kurrsesi i pasur.
d. Në kuadrin e nevojave bazë jetike të personit, duhet të merren parasysh edhe borxhet që u ka hyrë afati (që duhen shlyer menjëherë), sepse shlyerja e borxheve të menjëhershme i përket kuadrit të nevojave bazë. Po kështu, me borxhin bashkëngjiten edhe detyrimet financiare (monetare) shtetërore të taksave dhe kontributeve (të hollave për shpenzimet e përbashkëta) të detyrueshme të cilave u ka ardhur afati i likujdimit, pasi të gjitha këto i pakësojnë të ardhurat (të hyrat) e personit.
Zekati përbën një lëmoshë të detyruar që parimisht është një çështje individuale (në analogji me të gjitha llojet e tjera të lëmoshës, ku është vetë personi ai që përbën boshtin qëndror, ndaj kjo vlen edhe për rastin e lëmoshës së detyruar të zekatit) dhe kjo nxjerr si detyrim që të merren parasysh ngarkesat (barrat financiare) familjare dhe individuale të domosdoshme të personit juridik (të ngarkuar me detyrimet juridike islame), si dhe të merren parasysh kostot (shpenzimet / harxhimet) që ai duhet të bëjë për të siguruar të ardhurat dhe shlyer borxhet (sidomos borxhet, taksat dhe kontributet e detyrueshme të menjëhershme, të cilave u ka hyrë afati i shlyerjes). Vetëm nëse vlera e mbetur, pasi të hiqen (zbriten) sa në fjalë, e arrin nisabin (vlerën pasurore obliguese të zekatit), vetëm në këtë rast ky person duhet ta japë zekatin; në të kundërt personi nuk e ka më detyrim zekatin, bazuar në mendimin e fuqishëm mbështetës të përjashtimit të dhënies së zekatit për kostot e nevojave bazë dhe minimumin jetik, mendim ky që thekson se zekati jepet vetëm kur nisabi (vlera pasurore obliguese e zekatit) arrihet pasi të jenë zbritur kostot e nevojave bazë dhe minimumit jetik, duke qenë se vetëm kësisoj realizohet kriteri (norma) e pasurimit (të qenët i pasur), pasi siç dihet zekati u është obliguar vetëm muslimanëve të pasur, bazuar në thënien profetike: “Mësoju atyre se Allahu u ka obliguar një lëmoshë në pasuritë e tyre, që merret nga të pasurit prej tyre dhe u kthehet të varfërve prej tyre!”
Së treti: Shembull referent lidhur me minimumin jetik-nevojat bazë jetike
Një person përgjegjës për një familje standarde (të përbërë nga dy prindërit dhe dy fëmijë nën 14 vjeç) jeton në Shqipëri dhe si të vetmin burim financiar të ardhurash ka një rrogë mujore 500 euro. Nevojat bazë jetike mujore të tij janë të barasvlershme me minimumin jetik mujor për këtë familje.Lexoni më tepër
Llogaritja e thjeshtë e nisabit (vlerës pasurore obliguese të zekatit) për këtë rast është si vijon:
a. Llogaria e totalit të të ardhurave vjetore të pasurisë (Tavp): Tavp = 500 euro x 12 (muaj të ciklit vjetor hënor) = 6000 euro
b. Zbritja e shumës së nevojave bazë jetike (Nbj)
Siç u cek edhe më sipër, njësia thelbësore e Nbj (Nevojës bazë jetike) është Minimumi jetik për një familje (Mjf), ku më konkretisht kjo e fundit për një vit hënor shprehet si vijon: Nbj = 295 euro (Mjf) x 12 (muaj të ciklit vjetor hënor) = 3540 euro në vit
c. Referimi tek vlera pasurore obliguese e zekatit (nisabi): Vpoz (Vlera pasurore obliguese e zekatit) = 2854 euro
Shifra e mësipërme e nxjerrë vlen për datën 04.10.2018, ora 12:00, ku: Vpoz = 85 gr. (nisabi i arit) x 33.58 euro (vlera në euro për 1 gr. flori 24 carat) = 2854 euro
NISABI-PASURIA OBLIGUESE E ZEKATIT
d. Diferenca neto e pasurisë (Dnp): Dnp = Tavp (Totali i të ardhurave vjetore të pasurisë) – Nbj (Nevojat bazë jetike, që në këtë rast janë të barasvlershme me minimumin jetik familjar) = 6000 – 3540 = 2460 euro;
e. Referimi i diferencës neto të pasurisë, tek nisabi
Nga referimi i Dnp (Diferencës neto të pasurisë) tek Vpoz (vlera pasurore obliguese e zekatit), del se personi në fjalë, nuk e ka arritur nisabin (vlerën pasurore obliguese të zekatit), duke qenë se ai është 394 euro poshtë Vpoz (vlerës pasurore obliguese të zekatit / nisabit); pra Dnp < (më e vogël se) Vpoz.
Allahu e di më mirë. MINIMUMI JETIK-NEVOJAT BAZË-LLOGARITJA
Ju ftojmë ta shpërndani këtë postim, që të përhapet dobia e tij dhe së bashku të marrim shpërblimin e publikuesit të fjalës së mirë.
_____ MINIMUMI JETIK-NEVOJAT BAZË-LLOGARITJA
MINIMUMI JETIK-NEVOJAT BAZË-LLOGARITJA
Të afërta
Shpërndajeni Fjalën e Mirë: