Numri i fetvasë: 234 FALJA E SUNETEVE TË PARME TË XHUMASË
Kategoria: SUNETET E XHUMASË-TË PREMTES
4 113 shfletues/klikues FALJA E SUNETEVE TË PARME TË XHUMASË
Pyetje: FALJA E SUNETEVE TË PARME TË XHUMASË
Tek xhamia jonë falen katër sunete (rekate namaz vullnetar) para xhumasë. A mund të na jepni një sqarim të argumentuar lidhur me këtë çështje, pra lidhur me lejimin ose jo të faljes së namazit nafile (vullnetar) para faljes së farzit të xhumasë?
Përgjigjja: FALJA E SUNETEVE TË PARME TË XHUMASË
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
Në lidhje me sunetet (nafilet prej namazit vullnetar) që falen para faljes së xhumasë, thuhet sa vijon:
Së pari: Falja e nafileve të lira para xhumasë
Shumica e juristëve muslimanë janë të mendimit se falja e nafileve të lira të pakufizuara në numër dhe kohë para xhumasë, është mustehab (vepër e pëlqyer).Lexoni më tepër
Sa në fjalë bazohet në transmetimin e Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush lahet ditën e xhuma, pastaj vjen në xhuma dhe falet [aq rekate] sa ta ketë kader [të shkruar nga Zoti], pastaj dëgjon me vëmendje derisa të mbaroja hutbeja e tij [ligjërata e imamit] dhe pastaj falet me të [imamin]; këtij personi i falen gjynahet [e vogla] midis saj [xhumasë në fjalë] dhe xhumasë tjetër, duke i shtuar kësaj [kohe] edhe tre ditë.”
Pikërisht në këtë kontekst, Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Është transmetuar nga sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se kur vinin në xhami ditën e xhuma, ata me të hyrë [në xhami] falnin nafile (të lira) sa t’u bëhej mbarë. Kishte prej atyre që falnin tetë rekate dhe kishte të tjerë që falnin edhe më pak. Bazuar në këtë, shumica e juristëve islam kanë rënë dakord se para xhumasë nuk falet një numër i caktuar sunetesh…”
Ndërsa sa i përket kohës se kur ndërpritet falja e nafileve të lira para xhumasë, dijetarët theksojnë se kjo është koha kur imami ngrihet për të mbajtur ligjëratën e xhumasë.Lexoni më tepër
Në lidhje me kohën në fjalë të ndërprerjes të faljes së nafileve të lira para xhumasë, Ibn Kudame (Allahu e mëshiroftë!) në librin e tij “El-Mugni” thotë: “Falja e nafileve [namazeve vullnetare para farzit të xhumasë] ndërpritet me t’u ulur imami (ligjëruesi i hutbes) mbi minber (podium); referuar tek transmetimi i Thealebe Ibn Ebi Malikut, se ata (sahabët dhe tabi’inët), në kohën e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), në ditën e xhuma faleshin deri sa të dilte Umeri. Kur Umeri dilte, ulej mbi minber dhe muezini thërriste ezanin, të pranishmit [në namazin e xhumasë] flisnin ulur; pasi muezini të mbaronte (ezanin) dhe Umeri ngrihej (për të mbajtur ligjëratën e xhumasë), asnjëri nuk fliste. Kjo tregon se e tillë gjë ishte e njohur mes tyre.”
Së dyti: Falja e suneteve të përparme të xhumasë
Mendimi i parë: Xhumaja nuk ka para saj sunete të kohës me numër të kufizuar
Ky është edhe mendimi më i mirëargumentuar që përbën mendimin e shumicës së dijetarëve muslimanë, përfshirë medh’hebin maliki, shumicën e medh’hebit shafi’i dhe mendimin publik të medh’hebit hanbeli.
Mendimi i dytë: Para xhumasë ka sunete të kohës me numër të kufizuar
Mendimi i medh’hebit hanefi dhe një prej dy mendimeve të medh’hebit shafi’i dhe hanbeli, është se para xhumasë falen sunete të kohës të kufizuara në numër dhe këto sunete konsiderohen mustehab (të shpërblyeshëm). Më konkretisht mendimi i medh’hebit hanefi dhe një grupi të medh’hebit hanbeli është se ky numër është katër rekate, ndërsa një grup dijetarësh të medh’hebit shafi’i dhe hanbeli thonë se ky numër është dy rekatë.Lexoni më tepër
Përkrahësit e mendimit të dytë dhe refuzuesit e tyre kanë përmendur për këtë çështje disa argumente, ku ndoshta më kryesorët janë si vijon:
Argumenti i parë favorizues: Imam Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Profeti (Paqja qoftë mbi të!) falte katër rekate [në disa transmetime vjen edhe: “ …para xhumasë dhe pas saj katër; selamin e jepte në rekatin e tyre të fundit.” Është thënë se Profeti (Paqja qoftë mbi të!) i falte ato në shtëpi dhe pastaj dilte për namaz dhe kjo përkrahet nga fakti se Safije Bintu Hujej Ibn Akhtab (bashkëshortja e Profetit) ka falur katër rekate [në shtëpi] para daljes së imamit për në xhuma dhe pastaj fali xhumanë (farzin) me imamin dy rekatë; siç dihet Safija është bashkëshortja e Profetit (Paqja qoftë mbi të!) dhe gjasa më e madhe është që ajo ta ketë parë Profetin (Paqja qoftë mbi të!) ta vepronte këtë gjë para se të dilte për në xhami.
Ndërkaq, kundërshtuesit e faljes së suneteve të përparme të xhumasë, e kanë kundërshtuar këtë gjë me argumentin se hadithi i Aliut është i dobët si transmetim dhe bie ndesh me faktin se Profeti (Paqja qoftë mbi të!) sapo të vinte në xhami për xhuma hipte në miber (podium) dhe me të hipur ai në minber Bilali (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thërriste ezanin, menjëherë pas të cilit Profeti (Paqja qoftë mbi të!) mbante hutben dhe direkt pas saj ai (Paqja qoftë mbi të!) falte farzin e xhumasë me xhematin, kështu që nuk kishte kohë që të faleshin sunete para faljes së farzit të xhumasë. Mirëpo juristët e medh’hebeve hanefi dhe shafi’i i janë përgjigjur këtij pretendimi, se është mëse e mundur që Profeti (Paqja qoftë mbi të!) të ketë dalë në xhami pasi të ketë hyrë koha e xhumasë dhe para kësaj t’i ketë falur në shtëpinë e tij sunetet në fjalë para farzit të xhumasë. Këtë mundësi ata e mbështesin me transmetimet që u përmendën më herët dhe në faktin se dihet që koha e xhumasë fillon me zenitin dhe vijon deri para hyrjes së iqindisë; janë disa rastet ku përmendet shtyrja e xhumasë pas zenitit, për arsye të motit të nxehtë, pritjes së personave që vijnë nga larg etj.
Po kështu, kundërshtuesit e faljes së suneteve të përparme të xhumasë, në lidhje me transmetimin e Safijes (bashkëshortes së Profetit) thonë se, ai duhet bartur në kontekstin e faljes së nafileve të lira para xhumasë, që përbën veprën e disa prej shokëve të Profetit (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!).
Argumenti i dytë favorizues: Abdullah Ibn Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) falte para xhumasë katër dhe pas xhumasë katër; këtë ua urdhëronte dhe mësonte njerëzve; në transmetim vjen: “Abdullahu (Ibn Mes’udi) na urdhëronte të falnim katër para xhumasë dhe katër pas saj…” Argument se këto nuk kanë qenë nafile/sunete të lira, por sunete ratibe (sistematike) para xhumasë, është fakti se sunetet e lira nuk mësohen dhe urdhërohen me këtë interes dhe theksim, si ky i Ibn Mes’udit (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Pastaj, edhe pse Ibn Mes’udi nuk thotë se ky është një transmetim nga Profeti (Paqja qoftë mbi të!), sërish transmetimi në fjalë gëzon dispozitë si të jetë përçuar prej tij (Paqja qoftë mbi të!), sepse është e dukshme se diçka e tillë është pohuar nga Ibn Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në adresë të Profetit (Paqja qoftë mbi të!), përndryshe Ibn Mes’udi nuk do kishte urdhëruar për këtë.
Ndërkaq, kundërshtuesit e faljes së suneteve të përparme të xhumasë, e kanë kundërshtuar këtë gjë me argumentin se me këtë namaz të Ibn Mes’udit synohet se ai nuk e bënte këtë në kuadrin e suneteve sistematike (suneteve të përparme të xhumasë), por të atyre të lira që falen para xhumasë deri në ardhjen e imamit (duke qenë se në disa transmetime vjen se Ibn Mes’udi falte me këtë rast edhe tetë rekate). Për më tepër Ibn Mes’udi nuk ka thënë për këto rekate se ato i takojnë suneteve sistematike të përparme të xhumasë. Po në këtë aspekt vlen të theksohet se Profeti (Paqja qoftë mbi të!) nuk ka falur dhe as urdhëruar të falen sunete të përparme të Xhumasë, por dihet fakti se ai (Paqja qoftë mbi të!) shkonte direkt në podiumin (minberin) e hutbes (ligjërimit); po kështu as nga gratë e tij nuk transmetohet që ai (Paqja qoftë mbi të!) të falte sunete sistematike të përparme të xhumasë në shtëpinë e tij, teksa dihet sesi ato i kanë transmetuar të gjithë llojet e namazit që Profeti (Paqja qoftë mbi të!) falte në shtëpinë e tij, ditën edhe natën, si dhe formën e namazit të natës; e përderisa ato nuk kanë transmetuar gjë mbi këtë, si rregull i bie që kjo të mos ketë ngjarë.
Argumenti i tretë favorizues: Analogjia (përngjasimi kushtetues) mes xhumasë dhe drekës e bërë nga mbështetësit e këtij mendimi, përmes të cilës ata më pas përsiasin se, ashtu si dreka që ka para saj katër rekate sunete (sistematike), edhe xhumaja (e cila ngjason me namazin farz të drekës dhe e zëvendëson atë) i bie të ketë po aq sunete, pavarësisht se numri i rekateve farz midis tyre është i ndryshëm; sidomos duke qenë se nuk ka argument të prerë që të vërtetojë të kundërtën e kësaj analogjie.
Ndërkaq, kundërshtuesit e faljes së suneteve të përparme të xhumasë, e kanë hedhur poshtë këtë analogji (përngjasim) me faktin se namazi i xhumasë është i pavarur në vetvete, duke qenë se ai ndryshon nga namazi i drekës në: faljen e tij (namazit të xhumasë) të zëshme, në numrin e rekateve të tij, në çështjen e hutbes etj.; si dhe me argumentin se një analogji e tillë është e pasaktë, pasi ajo është homologe (njëjtë) me ligjërimin e faljes së katër rekateve sunet para dhe pas namazit të Festës (së Fitër dhe Kurban Bajramit), gjë që nuk qëndron kurrsesi.
Së fundi, lidhur me këtë çështje (faljen e suneteve të përparme të xhumasë para uljes së imamit në minber/podium), vlen të përmendet theksimi i dijetarëve se për faljen e këtyre suneteve ka mospërputhje mendimesh mes juristëve muslimanë dhe në çështje të tilla të bazuara mbi ixhtihadin (përsiatjen) e juristëve muslimanë nuk duhet që përkrahësit e njërit mendim t’i ndalojnë përkrahësit e mendimit tjetër [për më tepër nuk lejohet ta quajnë njëri-tjetrin mëkatar apo bidatçi, pasi ky mendim është objekt interpretimi dhe nuk është tekst i qartë kushtetues mbi dispozitën e të cilit ka konsensus në mesin e juristëve muslilmanë], si dhe nuk lejohet që e tillë gjë të bëhet shkak për debat destruktiv (rrënues), apo nxitje të fanatizmit dhe konfliktit…
Allahu e di më mirë. FALJA E SUNETEVE TË PARME TË XHUMASË
Ju ftojmë ta shpërndani këtë postim, që të përhapet dobia e tij dhe së bashku të marrim shpërblimin e publikuesit të fjalës së mirë.
_____ FALJA E SUNETEVE TË PARME TË XHUMASË
FALJA E SUNETEVE TË PARME TË XHUMASË
Të afërta
Shpërndajeni Fjalën e Mirë: